Semundjet e veshkave

December 5, 2011 Semundjet

Sëmundjet e veshkave dhe diabeti

Sëmundjet e veshkave janë një nga komplikimet që vijnë si rezultat i diabetit, pas një kohe të gjatë. Aktualisht tek një e treta e njerëzve që vuajnë nga diabeti mund të zhvillohen dhe sëmundjet e veshkave. Kjo fletë informuese shpjegon se si diabeti mund të ndikojë tek veshkat, duke përfshirë një informacion të përgjithshëm për veshkat, sëmundjet e veshkave, simptomat dhe trajtimin e tyre. Gjithashtu do të shpjegojë sesi njerëzit me diabet mund të parandalojnë dëmtimin e veshkave.

Veshkat
Veshkat janë organe të rëndësishmë që shërbejnë si kullues për të filtruar dhe pastruar gjakun dhe për të eliminuar mbetjet dhe lëngjet e tepërta, duke urinuar. Ato rregullojnë sasinë e lëngjeve dhe të kripërave të ndryshme të trupit, duke ndihmuar për të kontrolluar tensionin e gjakut. Ato shërbejnë gjithashtu për të lëshuar hormone dhe vitaminën D, e cila kontrollon tretjen e kalciumit në kocka.

Çfarë është sëmundja e veshkave?
Sëmundja e veshkave ndodh kur veshkat nuk funksionojnë më. Çdo veshkë përmban rreth një milion enë gjaku të vogla të quajtura nefrone. Sëmundja e veshkave shkaktohet nga dëmtimi i këtyre enëve të gjakut. Ky dëmtim mund të shkaktojë rrjedhjen e këtyre enëve, ose në disa raste, mund të ndalojnë së punuari, duke bërë që veshka të mos funksionojë mirë. Sëmundja e veshkave mund të jetë një gjendje serioze, prandaj është e rëndësishme që të zbulohet sa më shpejt që është e mundur.Kjo sëmundje ndodh te kushdo, por ka shumë mundësi të ndodhë tek njerëzit që kanë: diabet, tension të lartë, që kanë origjina nga njerëz të zinj ose nga ata aziatiko jugorë. Dëmtimi i veshkave nga diabeti quhet nefropati diabetike.

Pse ndodh që njerëzit që vuajnë nga diabeti rrezikojnë më shumë të kenë sëmundje veshkash?
Nëse diabeti nuk menaxhohet siç duhet, nivelet e larta të glukozës në gjak mund të dëmtojnë enët e gjakut në veshka duke shkaktuar kështu rrjedhjen e tyre, ndërsa tensioni i lartë i gjakut në enët e gjakut i bën ato të paafta për të filtruar mbetjet. Sëmundja e veshkave nga diabeti zhvillohet shumë ngadalë, pas shumë vitesh dhe ndodh më shpesh tek njerëz që vuajnë nga diabeti prej 20 vjetësh. Tek rreth një e treta e njerëzve me diabet mund të zhvillohen edhe sëmundjet e veshkave. Megjithatë, ndërsa monitorimi dhe trajtimi i tyre është përmirësuar dhe kjo gjendje është menaxhuar më me efikasitet, shumë më pak njerëz preken sot, në krahasim me të kaluarën.

Si mund të ulim rrezikun e sëmundjes së veshkave
1. Mbani nën kontroll nivelin e glukozës në gjak, tensionin dhe yndyrnat e gjakut (kolesteroli). Qëllimet që i keni vënë vetes duhet t’i konsultoni me doktorin tuaj.
2. Ndiqni të njëjtin plan të shëndetshëm për të ngrënë siç i rekomandohet gjithkujt tjetër – ushqime me pak yndyrë, kripë dhe sheqer, duke përfshirë më tepër fruta dhe perime.
3. Kryeni rregullisht aktivitete fizike.
4. Merrni ilaçe sipas rekomandimit të recetës. Nëse kjo recetë nuk është e përshtatshme për ju, konsultohuni me doktorin sa më shpejt.
5. Nëse monitoroni glukozën në shtëpi, kontrollojeni atë rregullisht dhe veproni bazuar në atë çka keni zbuluar. Nëse nivelet janë më të larta se normalisht përpiqu të kuptosh arsyen pse. Nëse nuk jeni i sigurtë diskutoni me doktorin tuaj se ç’mund të bëni.
6. Ndaloni duhanin. Nikotina dëmton muret e brendshme të enëve të gjakut dhe lejon yndyrnat dhe pllakëzat e gjakut që të ngjiten tek to.

Si mund të kontrollojë doktori nëse kam sëmundje veshkash?
Çdo njeri me diabet duhet të ketë të paktën një herë në vit një vizitë të përgjithshme, duke përfshirë këtu dhe analizë urine për proteinë. Kjo gjë mund t’ju kërkohet ta bëni më shumë se një herë në vit. Doktori gjithashtu duhet t’ju bëjë një analizë gjaku për të vlerësuar se sa mirë funksionojnë veshkat tuaja.

Simptomat e sëmundjes së veshkave
Kur sëmundja e veshkave është në fazat e para, ju nuk ndjeni gjë, prandaj kontrolli mjekësor njëherë në vit është i rëndësishëm. Shenjat e para që mund të përjetoni janë fryrjet, sidomos në këmbë dhe kyça për shkak se sëmundja e veshkave shkakton ndryshime në tension dhe në balancimin e lëngjeve trupore. Nëse kjo sëmundje zbulohet në fazat e para dhe trajtohet menjëherë, shumë nga këto simptoma nuk do të zhvillohen. Nëse degjenerimi i funksionit të veshkave nuk kapet në kohë, atëherë këto janë simptomat që mund të shfaqen: dalje më shpesh ose më rrallë të urinës, lodhje, lëkurë e irrituar, përzierje dhe vjellje.

Trajtimi i sëmundjeve të diagnostikuara të veshkave
Ka shumë mënyra për të trajtuar sëmundjet e veshkave, nëse veshkat nuk arrijnë të funksionojnë siç duhet. Doktori duhet të diskutojë më parë me ju se çfarëdolloj trajtimi ka ndër mend t’ju rekomandojë, për t’ju shpjeguar çfarë do të ndodhë dhe se si ky trajtim do ju ndihmojë. Gjithashtu doktori mund t’ju sugjerojë se keni nevojë të:
• Kufizoni lëngjet, kripën dhe disa lloj ushqimesh në dietën tuaj. Nëse ky është rasti juaj, atëherë duhet të merrni këshilla të detajuara nga një diet bërës i regjistruar.
• Merrni me recetë tableta diuritike (ujë) për të ndihmuar veshkat tuaja që të eliminojnë lëngjet e tepërta.

Nëse veshkat janë dëmtuar, filtrimi dhe pastrimi i gjakut nuk mund të bëhet si normalisht. Në disa raste, është e nevojshme që dializa të bëjë këtë punë për veshkat. Ka disa lloje dialize dhe doktori mund të diskutojë me ju se çfarë është më e mira për ju. Ndërsa sëmundja e veshkave zhvillohet, dhe dializa nuk po funksionon mirë, ateherë doktorët mund të afrojnë një alternative tjetër për njerëzit që kanë veshka mosfunksionale, duke bërë transplant veshke. Megjithatë, vendimi për transplant varet nga sa ka ndikuar diabeti në pjesë të tjera të trupit dhe sidomos tek zemra e enë të tjera gjaku.

Burimi: Shoqata bamirëse për njerëzit me diabet

Tags: , , , , ,

Semundjet.com | Platforma e perdorur WordPress. Emra Shqip | Horoskopi Shqip
eXTReMe Tracker