Semundjet gjenetike (te trashegueshme)

October 6, 2011 Semundjet

Sëmundjet e trashëguara, ose sëmundjet gjenetike, janë sëmundje që transmetohen nga njëri brez në tjetrin. Sëmundjet gjenetike janë aktualisht të pashërueshme, mbasi shkenca akoma nuk është në gjendje të korrigjoje defektin, edhe pse ekzistojnë kura për to. Një pjesë e madhe e sëmundjeve gjenetike janë vdekjeprurëse, ose shkaktojnë çrregullime të rënda të funksionimit të organeve të njeriut, që bëjnë të pamundur një jetesë normale dhe për një kohë të gjatë. Në ndryshim nga sëmundjet e tjera, sëmundjet gjenetike, duke u transmetuar nga brezi në brez, përbëjnë një rrezik në rritje për popullatën, mbasi shtohen bartësit e fshehtë të këtyre sëmundjeve dhe, për rrjedhojë, rritet mundësia e lindjes së fëmijëve të sëmurë. Është folur disa vite më parë dhe rishfaqet herë pas here ideja se duhet një ligj për analiza paramartesore për t’i detyruar njerëzit që të bëjnë analizat e gjakut para martesës, për disa sëmundje gjenetike. Por, a është kjo zgjidhja më e mirë ….?
“Duhet theksuar se eksperienca botërore ka treguar se parandalimi nuk bëhet me forma detyruese, ai duhet të kuptohet, përkrahet dhe ndihmohet nga vetë qytetarët, mbasi janë vetë ata viktimat e mungesës se një programi parandalimi”- theksojnë mjekët.

Pikërisht ky është faktori numër një i suksesit. Një program parandalimi duhet, gjithashtu, të parashikojë informimin e publikut me të gjitha format, mbasi pa një informim të publikut dhe konsensusin e tij, asnjë program nuk do të ketë rezultatin që pritet. Kërkohet formim dhe informim, formim i vazhdueshëm për mjekët dhe informim i vazhdueshëm për popullatën. Për këtë arsye, në suplementin e sotëm të gazetës “Tirana Observer”, ju do të keni mundësi të njiheni me këto sëmundje si dhe mënyra dhe rruga duhur për t’i shmangur ato.

1. HUMBJA E KUJTESES
Sëmundja e Alzheimerit ose ndryshe, siç njihet më shpesh, humbja e kujtesës, lind pas moshës 65-vjeçare. Simptoma më e njohur e kësaj sëmundjeje është harresa, por simptomat janë të shumta. Zakonisht sëmundja fillon me harresa gjithmonë e më të mëdha, të cilat në fillim kanë karakter minimal dhe me kalimin e kohës bëhen gjithmonë e më shqetësuese. Duhet pasur kujdes të mos ngatërrohen harresat normale me ato harresa që përbëjnë sëmundje. P.sh: Është harresë normale të mos mbash mend ku ke parkuar makinën në parkingun e supermerkatës, por është një harresë patologjike të kthehesh në shtëpi pa makinë sepse ke harruar që kishe shkuar me makinë.

Trashëgimia
Skleroza konsiderohet si një sëmundje femërore. E cila zakonisht trashëgohet nga nëna tek vajza dhe shfaqet në 90 për qind të rasteve, gjithmonë në moshën e tretë. Kjo sëmundje prek të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nuk lidhet aspak me kushtet e varfra apo me mirëqenien. Mjekët këshillojnë analizën e pemës gjenalogjike të familjes dhe evidentimin e rasteve, kjo për t’u trajtuar më pas në kohë.

Simptomat
1-Memoria humbet çdo ditë e më shumë
2-Personi ka probleme gjuhësore
3-Pjesën më të madhe të kohës është konfuz
4-Gjërat e reja i mban mend më shumë vështirësi
5-Mund të ketë konfiguracione
6-Nuk arrin të shkruajë normal

2. ZEMRA
Zemra është organ muskulor, i cili gjatë tkurrjes ritmike bën të mundur qarkullimin e gjakut në të gjitha organet e trupit të njeriut. Jeta pa zemër nuk është e mundshme. Zemra është njëra prej organeve të para që formohet në trupin e njeriut gjatë zhvillimit embrional. Forma e zemrës është e ngjashme me formën e një koni, maja e të cilit tregon nga ana e majtë dhe poshtë. Zemra te njerëzit ndodhet në anën e majtë të kraharorit, në raste të rralla nga ana djathtë. Një zemër e shëndoshë peshon sa 0,5 % për qind e peshës së trupit, ndërmjet 300 dhe 350 gramë. 500 gramë është pesha kritike. Prej kësaj peshe enët e gjakut të zemrës nuk janë në gjendje ta furnizojnë më atë me oksigjen. Zemra është si një pompë që furnizon organizmin me gjak. Dhe, në rastin e sëmundjeve të zemrës kemi prishje të funksionit të saj si pompë. Duke mos u furnizuar me gjak organizmi do të fillojë të mos funksionojë si duhet.

Trashëgimia
Sipas studimeve të bëra në fushën e mjekësisë, është treguar se fëmijët e prindërve që vuajnë nga zemra kanë më shumë të ngjarë të preken nga sëmundje zemre. Madje, sipas studimit, më i lartë është rreziku i prekjes nga sëmundja midis fëmijëve, se sa i trashëgimit të saj nga prindërit. Po ashtu, ekziston rreziku i prekjes nga sëmundje kardiovaskulare mes fëmijëve të një familjeje, se sa i trashëgimit të saj nga prindërit.

Simptomat
1- Marrja e frymës
2- Ënjtje e këmbëve
3- Nxirje e buzëve
4- Dhimbje si shenja infarkti
5- Bllokim
6- Shtrëngim ose dhimbje në kraharor

3. TENSIONI
Tensioni i gjakut është shtypja e gjakut në muret e enëve të gjakut (arterieve) në çdo pjesë të trupit. Gjaku rrjedh nëpër enët e gjakut pikërisht sepse gjendet nën tension të tillë. Tensioni krijohet me punën e zemrës si pompë. Gjatë secilës hedhje të gjakut nga zemra (sistola), tensioni rritet, kurse gjatë derdhjes së gjakut në zemër (diastola), tensioni ulet. Prandaj maten dy vlera të tensionit të gjakut, vlera e epërme (sistolike) dhe vlera e ulët (diastolike) e tensionit të gjakut. Ndryshe sot në mjekësinë moderne hipertensioni është cilësuar edhe si vrasës i heshtur. Kjo sepse tensioni i gjakut është sëmundje e heshtur, e cila mundet që përgjatë viteve të mos tregojë asnjë shenjë. Sëmundja përkeqësohet gradualisht dhe kjo ndodh gjatë një periudhe kohore dhe jo brenda pak ditësh, prandaj është e vështirë që të kuptohet nga vetë personi që në fillim. Vetëm atëherë kur manifestohen dëmtime në zemër, në tru, në veshka apo në sy.

Trashëgimia
Specialistët janë të gjithë një mendje kur përmendet tensioni. Për ta sëmundja është e trashëgueshme dhe u shfaqet njerëzve kryesisht pas moshë 40 vjeçe, si dhe rëndohet edhe më shumë në moshën e tretë. Më të prekura duket të jenë gratë, megjithatë vitet e fundit po rritet numri i meshkujve që kanë probleme me tensionin.

Simptomat
1-Dhimbje koke, sidomos në mëngjes
2-Gumëzhitje të veshëve
3-Marramendje
4-Nganjëherë del gjak nga hundët
5-Depresion pa e ditur shkakun
6-Personi është i shqetësuar dhe i irrituar
7-Skuqje e fytyrës
8-Ndjenja të fikëti

4. PANKREASI
Pankreasi është një gjëndër në bark që lëshon një lëng tretës (lëngun pankreasor) në zorrën dymbëdhjetëgishtore përmes një ose më shumë tubave. Pankreasi prodhon edhe disa hormone të rëndësishme, duke përfshirë edhe insulinën. Pankreasi është një organ në formë pyke me gjatësi rreth 14-20 cm, gjerësi 4 cm, shpesh 1,5-2cm dhe 65-80 gr i rëndë (te gratë peshon pak më lehtë) dhe ka ngjyrë të kuqërremë ose të përhirtë kur është në fazën e veprimtarisë së dendur prodhuese. Ai gjendet pas shtyllës kurrizore.

Trashëgimia
Shfaqja e sëmundjes së pankreasit ka vetëm dy mundësi. E para është trashëgimia, çka do të thotë se personat lindin me këtë sëmundje e cila u shfaqet atyre që në fëmijëri, ose rasti i dytë, ndodh kur sëmundja provokohet nga keqformime, fibroza cistike, trajtime kirurgjikale apo dhe disa medikamente si estrogenet, etj.

Simptomat
1-Dhimbje të forta barku
2-Fryrje barku
3-Të vjella
4-Rrahje të shpejta të zemrës
5-Temperaturë

5. ANEMIA
Mungesa e hekurit është shkaku më i shpeshtë i anemisë, madje edhe shfaqja e saj është më e shpeshtë tek femrat, dhe kjo për shkak të menstruacioneve (që natyrisht shoqërohen me humbje gjaku dhe me humbje hekuri). Në moshat e shtyra, anemia nga mungesa e hekurit ka shumë mundësi të jetë pasojë e kancerit në gjak, ndërkohë që tek fëmijët mundet që mungesa e hekurit të jetë pasojë e sasisë të pamjaftueshme në dietë. Këtyre të sëmurëve u këshillohet përdorimi i frutave të freskëta, që përmbajnë vitaminë C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit.

Trashëgimia
Të gjithë ata persona të cilëve u shfaqen probleme me aneminë që në muajt e parë të lindjes, do të thotë se e kanë të trashëguar atë. Zakonisht kur sëmundja trashëgohet nga nëna tek fëmija, ajo nis të shfaqet që në 6-mujorin e parë të lindjes dhe një ndër simptomat kryesore përveç ngjyrës së verdhë në lëkurë është edhe se fëmijët vjellin pa pushim, dhe kjo nuk është aspak e zakonshme.

Simptomat
1-Lodhje
2-Takikardi
3-Zbehje
5-Shpesh anemikëve ndodh t’u bien të fikët gjatë ecjes

6. DIABETI
Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi. Janë dy gjendje që mund të shkaktohen nga diabeti i sheqerit (diabetes mellitus), hiperglicemia (niveli i lartë i glukozës) dhe hipoglicemia (niveli i ulët i glukozës). Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin, i cili merret me ushqimet e ndryshme. Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale.

Trashëgimia
Specialistët e shëndetësisë kohët e fundit kanë arritur të zbulojnë se predispozicioni për t’u sëmurë nga diabeti është më i madh tek ata persona që kanë një të afërm me diabet. Edhe pse kohë më parë kjo teori nuk pranohej, pasi ende nuk kishte asgjë konkrete, tanimë është zbuluar se trashëgohen nga njëri brez në tjetrin genet që mbartin vetitë e organizmit të sëmurë.

Simptomat
1– Të sëmurët me diabet kanë dhimbje barku
2- Frymëmarrje të ngadalta e të thella
3- Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë
4- Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën
5- Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara
6- Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë
7- Yndyrat duhet të jenë vajra me një lidhje dyfishe
8- Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra

7. DHIMBJA E SHPINES
Shumë njerëz për vite me radhë vuajnë nga dhimbjet e shpinës dhe të kurrizit. Lumbalgjitë, shiatik, hernie… ajo që njerëzit zakonisht e quajnë dhimbje të mesit. Një përqindje e madhe ankohen se vuajnë nga lumbalgjitë, e cila është dhimbje e mesit rreth veshkave. Shkaqet e shfaqjes së sëmundjeve të mesit janë disa, ajo që është më e rëndësishme lidhet me faktin se ato nuk duhen lënë pas dore. Siç dihet, midis dy vertebrave të shtyllës kurrizore ndodhet një kërc në formë disku, i cili ndihmon për mosfërkimin e sipërfaqeve të kockave me njëra-tjetrën, duke siguruar njëkohësisht elasticitetin, shpërndarjen e peshës dhe lehtësimin e lëvizjeve. Kur kjo mbështetje dëmtohet, ai zhvendoset dhe i humb funksionet e veta duke shtypur rrënjët e nervave dhe shkaktuar dhimbjet: Ky është shiatiku.

Trashëgimia
Ekziston një origjinë gjenetike e dhimbjes së mesit. Sipas një studimi të publikuar para disa vitesh me 400 binjakë, gjenet difektoze janë në fakt shkak për 60% të kësaj sëmundjeje. Ky studim konfirmoi se binjakët vuanin nga të njëjtat probleme të kurrizit. Ata kishin të njëjtat simptoma dhe të njëjtat sëmundje të disqeve inter-vertebrale. Kjo tregon se dhimbjet e mesit thuajse gjithmonë janë të trashëguar dhe kalojnë tek fëmijët, shfaqja e së cilës mund të ndodhë edhe pas moshës 40-vjeçare.

Simptomat
1-Dhimbje mesi që zgjat më shumë se dy orë
2-Bllokim i shtyllës kurrizore
3-Dhimbje që bllokon njërën anë të veshkave
4-Shpesh njerëzit nuk mund të lëvizin për javë të tëra
5-Gjithmonë e ndjen shtyllën kurrizore të rënduar
6-Në disa raste dhimbjet fokusohen dhe në zonën e legenit

8. KANCERI I GJIRIT
Çdo vit kanceri i gjirit zbulohet i pranishëm në më shumë se 1 milion gra në botë dhe më shumë se 400 mijë gra vdesin çdo vit nga kjo sëmundje. Të sëmurat e trajtuara për kancerin e gjirit rrezikojnë të zhvillojnë përsëritje lokale, piku i të cilave ndodh në tre vjetët e para pas trajtimit. Përhapje të sëmundjes mund të ndodhin edhe shumë vjet pas trajtimit të parë. Prandaj, duhet të ndiqen për një kohë të gjatë dhe me kontrolle të vazhdueshme.

9. KANCERI I LEKURES
Kanceri në lëkurë është një nga sëmundjet më të përhapura. Gati 3/4 e vdekjeve nga kanceri i lëkurës vijnë pikërisht nga kjo sëmundje. Shkaku kryesor, sipas shkencëtarëve, është ekspozimi i tepërt i lëkurës në rrezet e diellit. Mendohet se ekspozimi i rrezeve ultravjollcë shkakton dëmtim të qelizave, të cilat çojnë në ndryshime kancerogjene. Burrat zakonisht preken nga kanceri sidomos në qafë, shpatull dhe kurriz, ndërsa femrat në krahë dhe kurriz.

10. KANCERI NE STOMAK
Është një nga sëmundjet që po prek çdo ditë e më shumë njerëzit. Sëmundja rritet me ritme të ndryshme dhe i kundërpërgjigjet në mënyra të ndryshme mjekimit. Njerëzit me kancer kanë nevojë për një mjekim që i nevojitet llojit të kancerit në stomak që ata kanë. Nëse një person mjekohet për një lloj tjetër kanceri në stomak, atëherë sëmundja ekzistuese do të zhvillohet duke u rrezikuar edhe jetën. Kanceri i stomakut quhet ndryshe edhe kanceri gastrik dhe fillesën e tij e ka pikërisht aty, në stomak.

11. KANCERI I LEKURES
Lëkura është organi më i madh dhe një nga më të rëndësishmit! Lëkura mbulon gati plotësisht të gjithë trupin tonë. E si e tillë na mbron nga traumat, goditjet, rrezatimet etj. Ajo ka funksion termorregullues e frymëmarrës, deri diku.
Gjithashtu, lëkura depoziton yndyrnat, vitaminat (vitamina D) e ujin. Lëkura ka dy shtresa epiderma/epidermis dhe derma/dermis. Shtresa e parë (e jashtmja) ka tri lloj qelizash: Bazale, skuamozë dhe (të sheshta, si luspa) dhe melanocitet.
Këto ndarje shërbejnë për të shpjeguar disa tipa kanceresh në lëkure. Pasi ato klasifikohen në varësi të qelizave ku ato prekin. Sipas specialistëve, edhe pse njerëzit mendojnë të kundërtën, më së shumti nga kjo sëmundje preken meshkujt. Megjithatë lajmi më i mirë është se thuajse në 90 për qind të rasteve sëmundja është e durueshme.

Trashëgimia
Trashëgimia shihet si lidhja kryesore e shfaqjes së sëmundjes. Mjekët tregojnë se shpeshtësia e hasjes së kancerit të lëkurës është më e lartë në familjet me një a më shumë persona me këtë lloj kanceri. Po ashtu, këtu futen dhe një grup sëmundjesh të cilat e rrisin prirjen e organizmit tonë për kancere, p.sh kserodermia pigmentoze, albinizmi etj. Për këtë arsye mjekët rekomandojnë që personat që kanë trashëgimi sëmundjen duhet të kurohen që në fillim, pa u rënduar deri në fazat e fundit sëmundja.

Simptomat:
1-Numër i lartë nishanesh në trup
2-Ato kanë ngjyrë të errët
3-Nishanet janë zakonisht në formë simetrike
4-Zakonisht këto nishane kanë një diametër prej 6 milimetra
5-Sëmundja shfaqet në shtresën e jashtme të lëkurës
6-Puçrrat dhe nishanet shfaqen në çdo pjesë të trupit.

12. KANCERI I GJIRIT
Kanceri i gjirit karakterizohet nga një periudhë e heshtur. Që ai të bëhet i kapshëm klinikisht duhet të arrijë madhësinë së paku 1 cm, që korrespondon 7-9 vjet. Kanceri i gjirit nuk është një sëmundje lokorigionale, që metastazon (përhapet) vonë, por një sëmundje sistemike që në diagnostikimin e parë. Përhapja e metastazave bëhet me anë të gjakut dhe të limfës. Në fillim përhapet në zonat fqinje, në lëkurë, mbi muskuj dhe në paretin torakal (kraharor), më pas në metastaza të largëta, më shpesh në mushkëri, kocka, mëlçi. Ndër shenjat e para të kancerit të gjirit mund të veçojmë ndër të tjera një lloj dhimbjeje që në gjuhën mjekësore njihet me emrin mastodynia ose edhe me shfaqjen e një mase të ngritur në njërin nga gjiret e pacientes. Në ditët e sotme, në shumicën e rasteve, kanceri i gjirit zbulohet nga një teknikë që quhet mamografi, që bën të mundur zbulimin e një nodule jo simptomatike, d.m.th që s’ka zhvilluar akoma simptoma tek pacientja. N.q.s tumori është prezent mund të vihet re në momagramë në formë kokrre nën sqetulla.

Trashëgimia
Trashëgimia është një faktor për kancerin e gjirit. Motrat ose nënat e atyre që kanë vuajtur nga kjo sëmundje janë 2-3 herë më shumë më të rrezikuara të preken nga kjo sëmundje se gratë e zakonshme. Thuajse asnjë vajzë e cila ka pasur motrën apo nënën me këtë sëmundje nuk ka “mundur” t’i shpëtojë asaj. Kryesisht sëmundja shfaqet pas të 30-ve, por ka raste kur ajo shfaqet edhe më shpejt. Duke qenë se është një nga sëmundjet më të trashëgueshme rekomandohet vizita për vajzat të paktën një herë në vit.

Simptomat
1-Ndryshime të madhësisë dhe pozicionit të gjirit
2-Ndryshime të lëkurës
3-Lëkura bëhet me gropëza, bëhet e fortë.
4-Në ndonjë rast merr ngjyrën e kores së portokallit.
5-Ndryshime të thithit si rrafshimi, futja brenda, spostimi, sekrecionet.
6-Masë aksilore (nën sqetull).

13. KANCERI NE STOMAK
Stomaku është i ndarë në 5 shtresa të ndryshme. Kanceri mund të zhvillohet në secilin prej këtyre seksioneve. Duke filluar nga shtresa më e jashtme, numërohen 5 shtresa dhe shtresa më e brendshme quhet mukozë. Acidi i stomakut dhe lëngu tretës janë të përbëra nga shtresa e mukozës. Shtresa tjetër quhet submukoza dhe është e rrethuar nga muskulaturë, një shtresë muskujsh që lëviz dhe përzien stomakun. Tumoret e stomakut janë ndër kanceret më të shpeshtë të traktit tretës dhe hasen më tepër në pjesët e popullatës me nivel të ulët higjieno-sanitar dhe social-ekonomik. Kanceri i stomakut takohet më shumë në ato zona të popullatës ku vërehet konsum më i lartë i ushqimeve me bazë karbohidratesh, të kripurash, të konservuara dhe të varfra me fibra dhe perime të freskëta.

Trashëgimia
Predispozicioni familjar është një nga faktorët që çojnë në shfaqjen e këtij tumori. Është vënë re se rreziku i shfaqjes së këtij tumori është më i lartë te familjarët e të sëmurëve me tumor, sesa te personat e tjerë që nuk kanë histori familjare të tillë. Por, sipas mjekëve, është e këshillueshme që vetë njerëzit të kujdesen shumë për të evituar sado që të jetë e mundur shfaqjen e këtij lloji kanceri. U rekomandohet një regjim ushqimor me sa më pak ushqime proteinike të ndenjura, të konservuara, të kripura.

Simptomat
1-Rënie në peshë, ndonëse i sëmuri ushqehet mirë
2-Neveri ndaj ushqimeve, sidomos ndaj mishit
3-Dhimbja ngjan me atë të ulçerës, derisa bëhet e padurueshme
4-Hemorragji nga goja
5-Nuk qetësohet nga medikamente të ndryshme
6-Personat me këtë sëmundje urinojnë shpejt.

14. KANCERI NE MUSHKERI
Kanceri i mushkërive është kanceri i dytë për nga shpeshtësia e përhapjes mes llojeve të kancerit dhe i pari për nga numri i vdekjeve. Në grafi kanceri shihet vetëm kur është mbi 1 cm, por kur kanceri i mushkërive ka arritur madhësinë 1 cm, zakonisht ka arritur të japë metastaza. Për këtë arsye grafitë nuk janë të mira për zbulimin e hershëm të kancerit mushkëror. Kanceri me qeliza të vogla trajtohet me rrezatim dhe kemioterapi. Ndërsa për kanceret e tjera lokalisht bëhet operacion dhe rrezatim. Metastazat trajtohen me rrezatim dhe kemioterapi. Në rast se sëmundja kapet herët, është shumë i lehtë për t’u shëruar, sepse në shumicën e rasteve nuk përhapet në organet e tjera të trupit. Ka njerëz të cilët jetojnë vetëm me një mushkëri, e njëjta gjë si me veshkat.

Trashëgimia
Kanceri në mushkri mendohet se është i trashëgueshëm dhe shkaktohet nga defektet në 5 deri në 6 gjene, të cilat janë përgjegjëse jo vetëm për sëmundjen, por edhe kalimin e saj nga një brez në tjetrin. Për kancerin e stomakut është zbuluar një gjen me trashëgueshmëri shumë lartë, deri në 89 për qind. Për këtë arsye mjeku penomonist këshillon që, nëse nëna apo babai kanë qenë me kancer në mushkëri atëherë fëmijët duhet të bëjnë patjetër grafi për të kuptuar nëse janë bartës të sëmundjes.

Simptomat
1-Kollë
2-Hemoptizi
3-Ngjirje (nga prekja e nervit laryngeus recurrens)
4-Humbje peshe
5-Pneumoni të shpeshta
6-Temperaturë.

15. CERMA
Cerma është një sëmundje e kyçeve, që në shumicën e rasteve rezulton në inflamacion të kyçeve që vjen pa ”paranjoftim” dhe jep shumë dhimbje. Shpesh ndikohet vetëm një nga kyçet. Në rastet më të zakonshme është kyçi i gishtit të madh të këmbës që inflamohet. Ndryshe kjo sëmundje njihet edhe si përdhesi. Nëse duam të parandalojmë përdhesin mund të përpiqemi të jemi koshientë për disa gjëra. Këshillohet të pimë sasi të arsyeshme pijesh alkoolike kur jemi duke e kombinuar pirjen me ngrënie ushqimesh të pasura me proteina. Këshillohet gjithashtu të pimë sa më shumë ujë dhe lëngje për të lehtësuar nxjerrjen e acidit urik nga trupi. Duhet pasur parasysh se nëse vuajmë nga sëmundjet e zemrës, duhet të këshillohemi me mjekun për sasinë e lëngjeve që konsumojmë. Rënia në peshë është e rëndësishme për të pakësuar rrezikun e shfaqjes së përdhesit.

Trashëgimia
Trashëgimia gjenetike është një nga arsyet se pse mund të kalojë sëmundja nga prindi tek fëmija. Kjo për arsyen se mënyra sesi acidi urik krijohet dhe përpunohet nga trupi, komandohet nga gjenet. Megjithatë sëmundja zhvillohet edhe gjatë jetës, edhe në rast se personi nuk ka pasur asnjë në familje me këtë sëmundje. Është e rëndësishme që të gjithë të kenë kujdes për këmbët, të mos mbajnë pesha të rënda dhe të jeni gjithnjë në ekuilibër.

Simptomat
1-Zakonisht sëmundja shfaqet natën
2-Gishti i madh i këmbës dhemb dhe ënjtet
3-Kyçi nuk duron asnjë prekje
4-Dhimbja shoqërohet me ethe
5-Në shumë raste edhe me temperaturë
6-Lëkura vyshket

16. SPONDILIATROZA
Spondiliatroza është një sëmundje e shpeshtë. Pjesa që preket më shumë është ajo e shtyllës kurrizore. I sëmuri ndien dhimbje në bel dhe nuk mund të përkulet dot. Dhimbja përhapet nga fundi i belit deri në afërsi të bishtit të vertebrës së fundit. Dhimbja shkon deri në zverk. Dhimbjet e shkaktuara shpeshherë bllokojnë edhe frymëmarrjen. Ekzistojnë dy tipa të kësaj sëmundjeje lumbare dhe ajo cervikale. Dhimbjet e sëmundjes shkaktohet lehtësisht nga stresi, emocioni, tensioni dhe është e shpeshtë tek njerëzit depresivë dhe me ankth; ndaj një nga metodat e kurimit është edhe psikoterapia, pasi kjo sëmundje lidhet më emocionet intense.

Trashëgimia
Spondiliatroza ka dy shfaqje të sëmundjes, lumbare dhe cervikale. Sipas specialistëve që merren dhe dhimbjet e kokës, është bërë e ditur se varianti parë i sëmundjes trashëgohet nga babai tek vajza dhe shfaqja e sëmundjes nis kryesisht pas moshës 23-vjeçare. Kurse shfaqja e dytë e sëmundjes zakonisht nuk është e trashëgueshme, por nëse ndodh, atëherë kalon përsëri nga babai tek fëmijët.

Simptomat
1-Dhimbjet janë të fiksuara në një vend
2-Dhimbjet janë pulsuese
3-Dhimbja shfaqet edhe natën
4-Personat kërkojnë kryesisht qetësi
5-Spondiliatroza shkaktohet edhe me marrje mendsh
6-Me të vjella

17. MIGRENA
Migrena është një ndër shfaqet më të shpeshta të dhimbjes së kokës. Kjo dhimbje shkaktohet nga enët e gjakut të trurit kur ato punojnë jo normalisht. Enët e gjakut të zgjeruara në kokë janë nxitësi i parë për dhimbjen e migrenës. Këto dhimbje prekin çdo moshë, por më shumë ato midis moshës 20 dhe 50 vjeç. Ekziston dhe një predispozitë gjenetike. Një në 4 gra dhe një në 12 burra mund ta përjetojë këtë dhimbje. Migrena është dhimbje e përqendruar, e cila shtohet në pjesën e pasme të kokës dhe sidomos në nyjën mes kokës dhe qafës. Me migrenë nënkuptohen një valë dhimbjesh akute, në një gjysmë të kokës, shpesh të shoqëruara nga të vjella dhe marramendje. Patogjenezia e migrenës është e lidhur me modifikimin e fluksit të gjakut cerebral, shkaktuar nga shqetësime arterioale. Terapia kundër dhimbjeve të migrenës bazohet në përdorimin e antifiamatorëve jo me përbërje steroidesh, si aspirina ose të tjera të ngjashme, duke i krijuar vetes kushte errësire dhe qetësie.

Trashëgimia
Gjenetika sot ka synim kryesor gjetjen e shkaqeve të dhimbjeve së kokës si migrena me karakter familjar, duke kërkuar për elementin trashëgimtar. Në vitin 1996 është zbuluar një gjen përgjegjës për transportimin e kalciumit nëpër qelizat cerebrale, i cili shkakton një formë tjetër migrene, e quajtur “migrenë familjare”, nëse ky gjen nuk funksionon normalisht, lëvizjet e nivelit të kalciumit reflektohen në mosfunksionimin e disa neurotransmetuesve, ngacmimi i të cilave shkakton këtë formë migrene.

Simptomat
1-Dhimbje koke të përqendruara në njërën anë
2-Krizat zgjasin 15 minuta deri në 1 orë
3-Ata që vuajnë nga migrena janë të zbehtë
4-Janë persona që kanë ftohtë
5-Kanë luhatje humori
6-Gjithmonë preferojnë errësirën derisa t’u kalojnë dhimbjet

18. RËNIA E FLOKËVE
Rënia e flokëve, ashtu si ngjyra e syve, është një tipar i trashëgueshëm. Me kalimin e kohës floku bëhet i hollë dhe bie kur folikulat vdesin. Gjenet që provokojnë rënien e flokut janë të transmetueshme nga të dy prindërit. Është i kotë riti që ndiqet shpesh nga prindërit për të qethur fëmijët e vegjël, në mënyrë që të rritet dhe shtohet floku. Nëse njëri nga prindërit vuan rënien e flokut, ajo do transmetohet tek fëmija, nëse ai ka marrë gjenet e tij. Por nga ana tjetër nuk është e thënë që prindi vuan rënien e flokut dhe patjetër duhet ta ketë dhe fëmija. Kjo është në varësi se nga cili prind i janë transmetuar gjenet fëmijës. Pikërisht me këtë fakt shpjegohen dhe rastet e shumta që ndodhin brenda një familjeje, ku njëri vëlla është tullac ndërsa tjetri ka një dendësi të madhe të flokëve.

Trashëgimia
Rënia e flokëve fillon që 20 vjeç, por ajo vihet re vetëm kur personi arrin në te 30-at. Rënia e flokëve nga trashëgimia është tipike në pjesën ballore dhe anash ballit. Gjenet që provokojnë rënien e flokut janë të transmetueshme nga të dy prindërit. Nëse njëri nga prindërit vuan rënien e flokut, ajo do transmetohet tek fëmija nëse ai ka marrë gjenet e tij.

Simptomat
1-Tek meshkujt humbja e flokëve nis që në moshën 15-vjeçare
2-Tek femrat shfaqet pas të 30-ve
3-Rënia e flokëve shfaqet anash ballit
4-Në mes të kokës
5-Humbja e flokëve fillimisht fillon në faza të përkohshme

19. HEMORROIDET
Hemorroidet janë inflamacion i enëve të gjakut rreth anusit dhe pjesës së poshtme të rektumit (pjesa fundit e zorrës së trashë), të cilat janë të zgjeruara nën presion njëlloj si variçet e këmbëve. Kjo është sëmundje e shpeshtë tek të dy gjinitë. Në disa shtete i thonë sëmundja e gjysmës sepse pothuajse gjysma e popullsisë në moshë mbi 50 vjeç është e prekur. Shfaqja e hemorroideve është e shpeshtë tek gratë me barrë. Në shkaqet e tjera të shfaqjes së sëmundjes janë edhe të qëndruarit ulur për shumë kohë të gjatë, sëmundjet e mëlçisë të shoqëruara me zmadhim të saj, prania e ujit në hapësirën midis organeve në bark (asciti), neoplazmat (sëmundjet kancerogjene_ e aparatit tretës etj; pra, të gjitha ato procese që shoqërohen me rritje të presionit të bark.

Trashëgimia
Një ndër shkaqet e shfaqjes së hemorroideve është edhe trashëgimia. Zakonisht personi nuk mund të vuajë apo të ketë asnjë lloj sëmundjeje dhe në këtë rast shfaqja e hemorroideve ndodh pikërisht për shkak të trashëgimisë. Shkaqe të tjera të shfaqjes së kësaj sëmundjeje janë edhe shtatzënia, qëndrimi ulur për një kohë të gjatë, infeksionet analet etj.

Simptomat
1-Kruarje anale
2-Dhimbje anale, sidomos kur ulesh
3-Derdhje gjaku i pastër d.m.th ngjyrë e hapur
4-Dhimbje gjatë jashtëqitjes

20. SËMUNDJET PNEOMONARE
Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes radhiten ndër më shqetësueset për shqiptarët. Gjithnjë dhe më tipike për këtë grup janë bërë sëmundje dhe vdekjet nga pneumonia, gripi dhe bllokimi kronik i mushkërive. Një ndër faktorët kryesorë të shfaqjes së sëmundjes është edhe niveli i lartë i ndotjes, ku jeton personi. Ky nivel lidhet ngushtë jo vetëm me ajrin brenda shtëpisë së tij, por edhe ajrin në qytetin ku banon.

Trashëgimia
Përveç shkaqeve natyrorë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në shfaqjen e sëmundjeve pneumonate, siç janë përdorimi i duhanit dhe niveli i lartë i ndotjes, mund të preken nga këto sëmundje kryesisht edhe ata pacientë të cilët e kanë sëmundjen të trashëguar nga prindërit e tyre. Në këtë rast sëmundjet e mushkërive, të bronkiteve quhen të hershme dhe është më e vështirë për t’i diagnostikuar.

Simptomat
1-Kollë e madhe
2-Bllokim i mushkërive deri në rrugët e frymëmarrjes
3-Në ndonjë rast edhe bllokim i kordave zanore (ikën zëri)
4-Zverdhje e personave
5-Dobësi fizike

Tags: , , , , , , , ,

Semundjet.com | Platforma e perdorur WordPress. Emra Shqip | Horoskopi Shqip
eXTReMe Tracker