Semundjet seksuale

December 5, 2011 Semundjet

Sëmundjet Seksualisht të Transmetuara

Shumë njerëz, duke përfshirë edhe mjekë, vazhdojnë të besojnë që vajzat e “mira” s’marrin Sëmundje që Transmetohen Seksualisht (STS). Dhe kur ndodh të kapim të tilla sëmundje, mund të marrim mbi vete vulën se kemi shumë partnerë seksualë, po qemë beqare, ose se jemi “jo besnike “, kur kemi një marrëdhënie monogame. Dhe më e keqja, mund të mos jemi në gjendje të marrim dot ndihmë mjekësore ose këshillim mjekësor, atëherë kur kemi nevojë më shumë se kurrë për to. Për sa kohë që shoqëria jonë vazhdon t’i shikojë STS- itë si një mënyrë ndëshkimi për njerëz që kanë marrëdhënie seksuale të rastit, problemi bëhet i vështirë për t’u diskutuar dhe aq më shumë për t’u çrrënjosur.

Çfarë janë SDT-itë?
STS është një term që aplikohet për më shumë se dy dyzina sëmundjesh që transmetohen kryesisht nëpërmjet seksit anal, oral apo vaginal. Efektet e tyre nuk kufizohen në organet riprodhuese dhe jo gjithmonë ato duhet të përfshijnë aktivitetin seksual, por në pjesën më të madhe të rasteve ai përfshihet. Në shumicën e rasteve organizmat që shkaktojnë STS- itë hynë në trup nëpërmjet membranave mukoze: sipërfaqes së ngrohtë dhe të lagësht të vaginës, uretrës, anusit dhe gojës. Megjithatë, në disa raste, ekspozimi ndaj plagëve të hapura në lëkurë, ose tipe të tjera të kontaktit lëkurë me lëkurë mund të jenë të mjaftueshme për të transmetuar infeksionin (shikoni përshkrimin e secilës sëmundje). Përveç këtyre, çdo çarje apo dëmtim që lejon mikrobet të hynë në rrjedhën e gjakut mund të rrisin rrezikun e transmetimit në mënyrë të veçantë për infeksione të ardhura nga gjaku si HIV dhe Hepatit B. Hepatiti është e vetmja STS për të cilën egziston një vaksinë.

PARANDALIMI I SËMUNDJEVE TË TRANSMETUARA SEKSUALISHT

Përdorimi i secilës nga metodat parandaluese të përshkruara më poshtë duhet të pakësojë
mundësitë tuaja për tu infektuar me STS. Merrni parasysh të përdorn i më shumë se një
metodë, meqënëse asnjë metodë, duke përfshirë edhe prezervativët, është 100% efektive.

1. Prezervativët (kondomët) e lateksit (gomës) të përdorura gjatë seksit vaginal, oral, anal janë metoda më e mirë e njohur për të parandaluar infektimin. Burri ose ju duhet të vendosni prezervativin në penisin e tij përpara se ai të prekë vulvën, gojën ose anusin tuaj. Në qoftë se ju ose partneri juaj pësoni irritime ose reaksione të tjera nga prezervativët e lateksit, provoni lloje të tjera si prezervativët e poliuretanit ose ata pa spermicid. Prezervativët pa nonoxinol -9 janë në qarkullim për tu përdorur për seksin oral, me aroma të ndryshme që i bëjnë më të pëlqyeshme për përdorim. Prezervativët e lateksit janë analizuar në shkallë të gjerë dhe ështe parë se janë efikas për parandalimin e sëmundjeve, por edhe kondomët e poliuretanit sigurojnë mbrojtje. Asnjëherë mos përdorni një lubrifikant me bazë vajore – si Vazelina – së bashku me një kondom lateksi, pasi e prish gomën dhe shkatërron mbrojtjen.

2. Përdorni prezervativin e ri femëror (Reality, Femidom, Femy ). Këto mund të jenë të dobishme në qoftë se partneri(erët) tuaj mashkullorë, s’munden ose nuk duan të përdorin kondomë. Sasira të vogla të çdo lloj lubrifikanti, duke përfshirë edhe ato me bazë vajore, mund të përdoren për brenda qeses, ose mbi penis. Përdorimi i një spermicidi që përmban nonoksinol -9 me prezervativin femëror mund të irritojë sipërfaqen vaginale.

3. Përdorni spermicidet vaginale(shkumat, filmat, kremërat dhe xhelërat kontraceptive.)* Ju mund t’i bleni ato në farmaci pa recetë dhe t’i përdorni me ose pa prezervativë apo diafragmë. Përdorimi i një pengese kontraceptive – prezervativ ose diafragmë – me spermicide mund të rrisë shkallën e mbrojtjes. Kur përdorni një prezervativ, vendosni një aplikator të mbushur me spermicid brenda në vaginë përpara marrëdhënies seksuale. Përdorimi i nonoksil-9 mund të irritojë mukozën e vaginës. Nëse kjo rrit rrezikun e transmetimit të HIV- it, është akoma jo e sigurtë. Problemi është kontradiktor pasi shumë nga studimet e bëra, që tregojnë shkallë të rritur rreziku, bazohen në përdorimin shumë të shpeshtë nga profesionistet e seksit.

4. Një diagramë (me spermicide) ka mbrojtje më të mirë kundër STS- ive që dëmtojnë qafën e mitrës, si infeksionet e gonorresë dhe klamidies. Kontraceptivë të tjerë, ndalesa të qafës së mitrës, si kapuçi dhe sfungjeri kanë provuar të mos jenë shumë efikase në parandalimin e STS-ve. Ndalesat cervikale nuk ju mbrojnë nga infeksione në pjesë të tjera të trupit si vulva, vagina apo rektumi prej organizmash që shkaktojnë herpes, lytha apo sifiliz.

5. Larja e gjenitaleve përpara dhe menjëherë pas seksit mund të mos ju ndihmojë aq sa duhet. Shpërlarja e brendëshme (dushi), në shumicën e rasteve, nuk parandalon STS- itë, pasi shpërlan sekrecionet normale vaginale që ndihmojnë trupat tanë të luftojnë infeksionin, dhe për më tepër mund të shtyjë infeksionin më lart në sistemin tuaj riprodhues. Burrat duhet të lajnë testikujt dhe penisin e tyre në mënyrë të veçantë pas seksit anal dhe përpara se të kryejnë seks vaginal ose oral.

6. Metodat penguese mund të përdoren për kontaktin gojë-vaginë ose gojë-anus. Këllëfat dentar (copa katrore lateksi që përdoren nga dentistët) mund të përdoren si pengues për seksin oral. Disa njerëz tani vendosin mbështjellëset plastike të përdorimit shtëpiak mbi sipërfaqen përpara kontaktit dhe pas një përdorimi e hedhin.Në qoftë se asgjë tjetër që keni rreth jush mund të kryejë këtë funksion, ju mund të prisni një dorezë lateksi dhe ta përdorni atë si pengues. Mbani mend: Penguesit nuk ju mbrojnë ju nga infeksioni në ato pjesë të trupit të cilat nuk janë të mbuluara prej tyre.

7. Shmangni përdorimin e përbashkët të lodrave të seksit. Sekrecionet e trupit në lodrat e seksit mund të transmetojnë STS. Disa njerëz praktikojnë zhytjen e lodrave të seksit në peroksid hidrogjeni për 15 minuta. Gjithashtu jeni të kujdesshëm ndaj çdo aktiviteti seksual qëpërfshin gjak, duke përfshirë të lidhurit dhe disiplinimin. Kontakti direkt me gjakun – duke përfshirë edhe atë menstrual – e një personi të infektuar mund të sjellë transmetimin e HIV- it dhe hepatitit.

8. Flisni me të dashurin tuaj rreth STS-ive përpara se të kryeni marrëdhënie seksuale. Pyesni nëse ajo apo ai janë ekspozuar ndaj ndonjë STS-ie. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme në qoftë se ju jeni shtatëzënë! Shqyrtoni me kujdes trupin tuaj dhe atë të të dashurit tuaj, duke kontrolluar për erë të keqe, ndonjë sekrecion të pazakonshëm, plagë, të ngritura në lëkurë, kruajtje apo skuqje. Në qoftë se ju mendoni që ju ose partneri juaj ka ndonjë infeksion mos i prekni plagët dhe mos kryeni seks. Gjithashtu keni parasysh që një person mund të jetë i infektuar me një STS si herpes apo HIV, dhe të duket krejtësisht i shëndetshëm.Ne nuk rekomandojmë marrjen e antibiotikëve në mëngjesin e të nesërmes për të parandaluar STS- itë. Të marra tamam përpara ose brenda 9 orëve pas ekspozimit ndaj një personi të infektuar, këto kokrra antibiotiku përmbajnë aq sa duhet ilaç për ta parandaluar sëmundjen, por jo aq sa duhe t për të kuruar një infeksion të vendosur. Marrja e antibiotikëve shpesh ose në doza më të vogla se ato optimale, mund të inkurajojë zhvillimin e shtameve bakterialë rezistente ndaj antibiotikut.

Herpesi
Herpesi (nga greqishtja – me lëviz ngadalë) shkaktohet nga virusi herpes simplex, një organizëm i vogël, primitive.Virusi hyn në trup nëpërmjet lëkurës dhe membranave mukoze të gojës dhe gjenitaleve dhe udhëton përgjatë fundeve nervore deri në bazën e palcës kurrizore, ku vendoset përfundimisht, duke u ushqyer me lëndët ushqyese të prodhuara nga qelizat e trupit. Ekzistojnë dy tipe virusi herpes simplex (VHS). Tipi I (VHS I) zakonisht karakterizohet nga plagët e gripit ose flluska të etheve në buzë, fytyrë dhe gojë, ndërsa Tipi II (VHS II), në shumicën e rasteve, karakterizohet nga plagët e gripit në zonën gjenitale. Megjithëse VHS I zakonisht lokalizohet nga mesi e sipër, VHS II gjendet në pjesën e poshtëme, mund të ndodhin kryqëzime, të shkaktuara kryesisht nga praktikimi i shtuar i seksit gojë-gjenitale.

Lythat gjenitale
Te ky lloj i infeksionit paraqiten lytha te vogla në vulvë, vaginë, anus ose cerviks (te meshkujt në penis). Ky infeksion paraqitet dy muaj apo me shumë pas marrëdhënies së pa mbrojtur. Shpeshherë mund të infektoheni nga ky virus, por nuk paraqiten lythat dhe nuk e dimë a jemi te infektuar nga ky virus apo jo. Lythat shkaktohen nga virusi i quajtur human papilloma virus (HPV). Se paku ka 50 lloje të këtij virusi. Trajtimi i këtij infeksioni bëhet në disa mënyra. Mënyra më e thjesht është aplikimi i kremit të quajtur podphillin i cili duhet të aplikohet disa herë dhe duhet disa ditë të largohen krejtësisht. Mënyra tjetër është ngrirja dhe djegia e lythave. Pas të gjitha trajtimeve, lythat mund të paraqiten përsëri.

Infeksioni me kllamidia
Infeksioni me kllamidia është infeksion i cili nuk ka simptome të lehta apo fare nuk ka. Nëse ky infeksion nuk trajtohet mund të shkaktojë sëmundje inflamatore të pelvikut (PID) dhe infertilitet. Te disa femra shkakton sekret të shtuar, djegie gjatë urinimit, dhimbje në fund të barkut, temperaturë, dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale si dhe gjakderdhje jo normale. Te meshkujt, shkakton simptome të cystitit, sekret nga organi gjenital i mashkullit, djegie gjatë urinimit, skuqje si dhe ënjtje e testisëve, por mund të mos kenë fare simptome.
Shkaktohet nga bakteria e quajtur Chlamydia trachomatis. Bartja e infeksionit bëhet vetëm me rrugë seksuale. Ky infeksion bartet nga nëna e infektuar te foshnja gjatë lindjes vaginale. Bakteria chlamydia shkakton dy të tretat e infeksionit te pelviku (PID). Diagnostikimi bëhet me marrjen e strishos nga cerviksi te meshkujt, nga retra, si dhe bëhet analizë të gjakut dhe urinës.
Trajtimi bëhet me antibiotikë sa me shpejt që bëhet diagnostikimi dhe duhet të trajtohen të dy partnerët.

Gonorea
Shkaktohet nga bakteria Neisseria gonorrhoea. Afekton vaginen, cerviksin, uretren dhe rektumin. Është gjithashtu një ndër shkaktarët e shpeshtë të infeksionit të pelvikut. Paraqitet me ndryshime në sekretin vaginal, me ngjyrë të bardhë në të verdhë, dhimbje në fund të barkut, djegie gjatë urinimit si dhe simptome të infeksionit rektal (zorrës së trashë), kruarje, skuqje, gjakderdhje dhe dhimbje të zorrës së trashë. Te meshkujt, simptomat paraqiten dy deri në pesë ditë pas marrëdhënies së pambrojtur. Diagnostikimi bëhet me teste të ndryshme laboratorike. Ky infeksion është gjithashtu shumë i rrezikshëm te shtatzënat. Trajtimi bëhet te të dy partnerët me doza të mëdha të antibiotikëve.

Sifilisi
Ky infeksion shkaktohet nga organizmat (shumë të afërt me bakterie) të vegjël të quajtur spirochaet-treponema pallidum. Koha e paraqitjes së simptomeve pas infektimit me sifilis është mesatarja 21 ditë. Infeksioni lokalizohet në hyrje të vaginës dhe retrës, me paraqitjen e ulcerave të vogla të quajtura chancre. Simtomat janë të shumta dhe është shumë vështirë të diagnostikohet nëse nuk bëhet testi serologjik. Shërimi i sifilisit bëhet sipas trajtimit më të vjetër dhe ende shumë efektiv me antibiotikë-penicilinë. Në rast të mostrajtimit te sifilisit mund të dëmtojë zemrën, aortën, trurin, sytë dhe eshtrat. /Telegrafi/

Burimi: Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Telegrafi

Tags: , , , , , , , , ,

Semundjet.com | Platforma e perdorur WordPress. Emra Shqip | Horoskopi Shqip
eXTReMe Tracker